Edhe pse testet janë të rëndësishme në arsim, përsa i përket vlerësimit që i bëhet nxënësit, pothuajse gjithmonë do të hasim në kontestime. Nuk ka asnjë metodë të vetme te matjes dhe vlerësimit në bazë të çdo nxënësi, sepse secili ndryshon në përputhje me nivelin e të mësuarit. Në fakt, sa më shumë metoda të ndryshme vlerësimi të ketë aq më mirë është.
Një nga metodat e shumta të vlerësimit në shkollë janë testet online. Këto teste janë të përgatitura me kujdes për çdo lëndë e temë dhe përbëhen nga disa përzgjedhje pyetjesh. Për secilën lëndë është krijuar një bazë prej 100-150 pyetjesh për çdo kapitull. Gjatë testimit me anë të iPad-it apo kompjuterit nxënësve u ofrohet një përzierje e rastësishme prej 20-25 pyetjesh. Kështu, secilit nxënës i shkojnë pyetje të ndryshme, me renditje të ndryshme nga shoku ose shoqja që ka në krah duke krijuar në këtë mënyrë kushtet për një testim sa më real, larg kopjeve apo vlerësimit subjektiv nga ana e mësuesit. Me këtë metodë nxënësi mund të masë njohuritë e veta në mënyrë të drejtë.
Testimi online nuk është vetëm për vlerësimin e nxënësve, por më së shumti përdoret për të treguar nivelin e të mësuarit dhe të përvetësuarit nga nxënësit. Pas një shpjegimi prej 30 min në një lëndë të çfarëdoshme duke përdorur IPad-in me anë të një testi 5 min, mund të dallosh qartë dhe shpejt se cili nxënës e ka kuptuar mësimin dhe cili ka mangësi. Pas minitestit, në varësi të rezultateve, mësuesi rishpjegon mësimin apo përsërit vetëm pjesët ku vërehen mangësi, duke bërë të mundur sqarimin e koncepteve që kishin mbetur ende të paqarta.
Provimet që zhvillohen me IPad-it apo kompjuter vijnë në formë më argëtuese për nxënësit dhe priten më me pozivitet nga pjesa e nxënësve të cilët i frikësohen provimeve.