Për një zhvillim të gjithanshëm e argëtues, kolegjet ushtrojnë prej 18 vjetësh një aktivitet të suksesshëm në fushën e shkollimit e të edukimit në Shqipëri.
Përveç arritjeve e kërkesave në vazhdim për një mësimdhënie sa më efektive dhe të nxënit ndërveprues në të gjitha lëndët në koherencë me zhvillimet bashkëkohore, në shkollat tona zhvillohen edhe mjaft konkurse, aktivitete artistike e kulturore në fusha të ndryshme, në të cilat aktivizohet potenciali energjik e krijues i nxënësve, dalin në pah talentet, dhe si në çdo garë, më të mirët stimulohen me çmime titullarë e materialë. Këto konkurse i motivojnë nxënësit të marrin pjesë me dëshirë dhe njëkohësisht në to realizohet të mësuarit nëpërmjet argëtimit; zbulohen talentet; zhvillohen më tej prirjet e tyre dhe fëmijët mësojnë të marrin pjesë në garë në një mënyrë sa më qytetare.
Një nga aktivitetet më të rëndësishme është edhe “Konkursi i Artit & Letërsisë në Gjuhën Shqipe”. E dallojmë këtë sepse kemi të bëjmë me një shkollë ku njohuritë merren në angisht, shqip e turqisht. Në këtë konkurs manifestohen njohuri e talente në fushën e interpretimit në shqip, në fushën e krijimtarisë (hartim, ese dhe poezi), si dhe në fushën e këngës së bukur shqiptare.
Duke qenë se letërsia dhe kënga janë forma të artit, zhvillojnë te nxënësit ndjenjën e të bukurës, dashurinë për letërsinë, gjuhën shqipe dhe këngët e bukura shqiptare, si dhe vlerësimin për to, duke zhvilluar natyrshëm te nxënësit ndjenjën e krenarisë kombëtare, si dhe të mësuarit e marrjes pjesë në një garë artistike përballë publikut.
Këtë vit akademik konkursi i letërsisë dhe këngës pati një shtrirje më të gjerë dhe një aktivizim më të madh të nxënësve. Kjo erdhi si rezultat i një organizimi më të mirë në fazat përzgjedhëse të talenteve, si dhe rëndësinë që i dha Drejtoria e Përgjithshme e Fondacionit “Gülistan”, drejtoritë e çdo shkolle dhe Katedra e Letërsisë me të gjithë stafin e saj.
Fazat përzgjedhëse filluan me konkurse në bazë klase për çdo shkollë, në të tre fushat: krijim, interpretim dhe këngë. Më tej u zhvilluan konkurse brenda çdo shkolle, në të tria fushat e përmendura më sipër.
Fituesit e tre çmimeve të para të çdo shkolle përfaqësuan shkollat e tyre në fazën parafinale në të tria fushat: krijim, interpretim, këngë dhe vizatim . Aty, në prani të spektatorëve dhe nën vlerësimin e një jurie profesioniste e përbërë nga anëtarë të nderuar të secilës fushë ku konkurojnë nxënësit, u bë përzgjedhja e më të mirëve.