Të besosh tek e ardhmja e një vendi, do të thotë të besosh tek rinia e tij, të mbështetësh përpjekjet, punën, ëndërrat e saj, ta shohësh botën me sytë e saj, të bësh të tuat qëllimet që ajo ka, duke i kthyer ato në qëllime të përbashkëta. Të ecësh me hapin e saj, t´i rendësh nga pas e ta prish njëkohësisht, t´ia bësh ëndërrat të prekshme, t´i mësosh se në këtë botë asgjë nuk është e pamundur dhe e rastësishme.
Të projektosh të ardhmen e një kombi është sipërmarrje sublime, një mision madhështor që nuk mund ta marrë përsipër kushdo, veçse njerëz altruistë e me qëllime madhore. Ky është qëllim prej vizionari që sheh përtej hapësirës e kohës, që nuk jeton për të tashmen, por punon dhe i takon së ardhmes. Ky është vizioni i kolegjeve “Turgut Ozal”, i këtij institucioni dhe sipërmarrje madhështore, triumfues në të gjitha olimpiadat kombëtare, duke shkruar kështu edhe një herë historinë e suksesit.
Në një vend të vogël si Shqipëria, ku talentet nuk mungojnë, por mundësitë e tyre për t´u zhvilluar janë të pakta, kolegjet “Turgut Ozal” kanë ndërtuar programe, projekte ambicioze, tepër të avancuara në mbështetje të të rinjve të talentuar, veçanërisht në fushën e shkencave. Tashmë ata nuk synojnë thjesht të jenë më të mirët e Shqipërisë, por të ngrejnë emrin e saj nëpër botë, të bëjnë të dëgjohet e të flitet për të.
Nga data 6 deri më 16 korrik, në Hong-Kong, u zhvillua edicioni i 57 i Olimpiadës Ndërkombëtare të Matematikës (IMO), ku morën pjesë përfaqësues nga 119 vende të ndryshme të botës, ndër të cilët dhe Shqipëria. Ekipi shqiptar përbëhej nga gjashtë nxënës, pesë prej të cilëve janë nxënës të kolegjeve “Turgut Ozal”. Nga ky kompeticion Shqipëria doli me një Medalje Bronzi dhe tri Medalje Nderi.
Gledis Kallço, nxënës i kolegjit “Turgut Ozal” Durrës, fitoi Medalje Bronzi në këtë olimpiadë, duke ngritur lart jo vetëm emrin e tij e të shkollës ku u formua, por emrin e një kombi, flamrin kombëtar, përmes një prezantimi dinjitoz që na bën nder të gjithëve. Maturanti Kallço, fitues i shumë medaljeve në olimpiada ndërkombëtare, spikat për talentin në shkencat ekzakte, i pajisur me një inteligjencë të rrallë dhë me një thjeshtësi për t”u admiruar, është një nga emrat më premtues të së ardhmes. Fitues i një burse prej 95% në universitetin më të mirë në botë,
“Massachusetts Institute of Technology”, në SHBA, ai shumë shpejt do të rendë drejt sfidash të reja. Maturantja Ana Peçini dhe nxënësi i klasave të njëmbëdhjeta Barjol Lami, gjithashtu nxënës të kolegjit “Turgut Ozal” Durrës, fituan Medalje Nderi. Fjona Parllaku, nxënëse e kolegjit “Turgut Ozal” Tiranë është gjithashtu fituese e Medaljes së Nderit. Vlen të përmendet dhe pjesëmarrja e nxënësit Kevin Isufaj, nxënës i kolegjit “Hasan Riza Pasha” Shkodër.
Rezultati i këtyre të rinjve është fryt i një pune sistematike, këmbëngulëse dhe ambicioze që zhvillohet çdo ditë në auditoret e kolegjeve “Turgut Ozal”, me programe të avancuara, orë suplementare jashtë orarit mësimor, për të nxjerrë prej tyre më të mirën e mundshme. Një investim i madh kohe, pune dhe energjie për të arritur deri këtu. Nëse sot kryefjala do të ishte e ardhmja e Shqipërisë, kur të gjithë shqetësohen se çfarë do të ndodhë nesër, me bindje mund të themi se ajo është e sigurt dhe e garantuar.
E ardhmja e këtij vendi janë këta të rinj, ajo do të mbajë emrin e Gledisit, Anës, Barjolit, Fjonës, Kevinit e të shumë kolegjistëve të tjerë të shpërndarë nëpër botë duke studiuar në universitetet më të mira. E ardhmja projektohet çdo ditë me pasion dhe punë të palodhur në auditoret e kolegjeve “Turgut Ozal”, sepse ajo tashmë është kthyer në qëllim, për t´i dhënë këtij vendi më të mirën e mundshme.