Në faqen e saj zyrtare online, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka shprehur krenarinë e saj për 217 nxënës, fitues në nivel kombëtar olimpiadash. “Sot, na bëjnë krenarë në këtë sallë të vogël, nesër, do të na bëjnë krenarë me historitë e tyre të suksesit, që do të jenë histori suksesi të Shqipërisë evropiane,” është shprehur zonja Nikolla gjatë ceremonisë përmbyllëse të Olimpiadave 2015.
Në Olimpiadat Kombëtare, për vitin 2014-2015, rezultojnë fitues në nivel kombëtar 217 nxënës prej të cilëve 52 kanë qenë nxënës të kolegjeve “Turgut Ozal” me 8 vende të para, 13 të dyta dhe 31 të treta. Vëmendje dhe vlerësim të veçantë morën gjatë ceremonisë dy nxënësit e kolegjeve “Turgut Ozal” që sollën medaljen e bronzit nga Olimpiada Ballkanike në Greqi, Alboreno Voci dhe Gledis Kallço.
Ministrja i cilësoi nxënësit fitues dhe mësuesit e tyre si modele suksesi që duhen ndjekur e që padyshim duhen mbështetur.
Kjo është hera e parë që Ministria e Arsimit dhe Sportit, organizon një ceremoni të kësaj natyre.